Duke kujtuar 24 prillin e Aviacionit
(nga Augustin Z Gjinaj)
Sipas mitologjisë, Ikari, njeriu i parë që “sulmoi” qiellin me disa flatra të ngjitura në shpinë, u nis në aventurën më të çmendur për të realizuar të pamundurën, sfidën e njeriut ndaj perëndive, fluturimin. Por…Në lartësitë e mëdha dielli i shkriu atij dyllin, me të cilin Ikari kishte ngjitur krahët. Ndodhi kështu “katastrofa” e parë ajrore, e cila nxorri në pah faktin se, “teknologjia” do të kishte historikisht rolin e vet në fatin e ëndrrave e projekteve të mëdha të njerëzimit në sulmin ndaj qiellit. Ikari vdiq, por nuk vdiq ëndrra e njerëzimit për të fluturuar, legjenda mbeti e gjallë mes brezave të shoqërisë njerëzore, sfida ndaj qiellit mbeti e hapur deri në realizimin e saj pas mijëra vjetësh.
Historia e aviacionit në mbarë botën është një histori e guximtarëve, pionierëve të ecjes përpara, e ëndrrave të njeriut për sfidat e mëdha të zhvillimeve e transformimeve epokale.
Aviacionit tonë nuk i kanë munguar heronjtë që përcillnin këto ndryshime.
Aviacioni buxheti…aleatët
Aviacioni Luftarak ka qënë shumë i shtrenjtë. Jo vetëm se një avion luftarak kishte vlerën e disa milion dollarëve, por edhe se mbajtja e avionëve ishte e shtrenjtë. Mbi 100 avionët reaktivë që kishte aviacioni ynë, harxhonin disa milionë litra vajguri, dhjetra motorë reaktivi, dhjetra orë resurse avioni, milionë dollarë për t’u riparuar, pjesë këmbimi e konsumi.
Shteti ynë nuk i ka patur asnjeherë mundësitë që ti krijojë me buxhetin e vet asete të tilla, ndaj Aviacioni ka qënë simbol i bashkëpunimit me aleatët e kohës, të cilët kanë kryer investime të rëndësishme, kanë trainuar ushtarakët tanë, kanë ndihmuar në aftësimin e teknologjive të reja, prej të cilave janë arritur rezultate transformuese.
Përgatitja për luftë ka një çmim të shtrenjtë-deshmoret.
Në çdo luftë ku marrin pjesë heronj të vërtetë, ata që bien janë dëshmorët, siç janë dhe dëshmorët e aviacionit, njerëzit që u karakterizuan nga një përkushtim i veçantë për detyrën dhe shtetin.
Shumë burra të aviacionit nuk u kthyen më në vatrat familjare e as midis shokësh e kolegësh në reparte. Të shtrirë mbi shtratin e topit, të mbështjellë me flamurin kombëtar, në ritmet e përzishme të marsheve funebër, ata u nisën drejt përjetësisë, për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, aty ku vargjet e himnit tonë, “po vdes, po vdes, si një dëshmor”, marrin një kuptim real e krejt të veçantë. Dëshmorët e Atdheut të Aviacionit Luftarak, me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë në zbatimin e detyrave, me eksperiencën e madhe e të çmuar që kanë lënë pas për brezat e ardhshëm, me krenarinë që i kanë dhënë aviacionit e Forcave të Armatosura, janë pa diskutim një vlerë e madhe kombëtare.
Në aviacion kanë rënë në krye të detyrës shumë “Dëshmorë të Atdheut”, gjë që do ishte me vlerë të na bëjë të mendojmë se, respekti e trajtimi në të gjallë të tyre, apo edhe i atyre që arrijnë të mbijetojnë në këto beteja, të jetë akoma më dinjitoz. Sepse mosha mesatare e pilotëve të rënë është 31, ajo e atyre që kanë ikur nga kjo botë natyralisht është vetëm 54 vjeç.
Dëshmorët e aviacionit i kanë dhënë krenari të gjithë pjestarëve të kësaj arme, janë një dekoratë e padukshme në gjoksin e çdo aviatori, në mënyrë të veçantë e çdo piloti, për t’u nderuar nga opinioni si një njeri që, potencialisht mund të ishte një hero.
Aviatorët – flamuri në qiell i Shqipërisë
Figura e aviatorëve e sidomos e pilotëve është servirur si ajo e “trimave të Çartur”, por në fakt aviacioni ka qënë arma e “burrave të zgjuar”, pasi pilotët e teknikët që shfrytëzuan në vite avionët MIG, me eksperiencën e madhe e të çmuar që kanë lënë pas, mbeten një vlerë kombëtare për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë në zbatimin e detyrave të caktuara.
Aviacioni ynë Luftarak ishte një armë, një shërbim, një institucion i organizuar më së miri, njerëzit e të cilit ditën që teknikën që patën në përdorim- nga më prestigjozet për kohën, e drejtuan, e menaxhuan, u treguan të aftë për ta administruar, për ta vënë në përdorim në mënyrë shkencore.
Për aviatorët, për pilotët dhe teknikët, në masën e gjerë, kishte një simpati të veçantë. Edhe sot, si në vendet e tjera, ashtu edhe në Shqipëri, ndodh po e njëjta gjë. Njerëz të ndryshëm, që e mendojnë profesionin e tyre të vështirë, me shumë sakrifica e të rrezikshëm, u shprehin atyre mirënjohje.
Jo të gjithë njerëzit mund të arrijnë të bëhen simbol, apo përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë, apo të zhvillimeve më të rëndësishme e më të spikatura të saj.
Në historinë e njerëzimit ka ndodhur ajo që, aty ku ka ngulur flamurin ushtria, aty një komb ka patur syrin e shpirtin, aty një shtet ka patur kufirin dhe kjo mesa duket nga fakti se, ushtria dhe ushtarakët janë një pjesë përfaqësuese dhe emblematike e tyre, ndërsa flamuri simbolika e të gjitha politikave e interesave.
Aviacioni është ai që e ngre në qiell flamurin e Shqipërisë.
Nëse krenaria është një ndjenjë që na imponon respekt për vlerat tona më të mira, që na imponon respekt për veprën e punën e nderuar të një njeriu, shoqërie, institucioni apo të vendit tonë, nëse ajo na obligon të rrisim kërkesat ndaj vetes e të tjerëve për ecjen përpara, qoftë edhe duke parë me sy kritik mosarritjet, atëherë le të jemi krenarë sa herë që e meritojmë të jemi të tillë.
Është me vend të kemi respekt e nderim për Aviacionin Luftarak Shqiptar, të jemi krenarë për të.
All reactions:
60Shpetim Cami, Petro Koçi dhe 58 të tjerë