(Nga Vlladimir Duraj)
Niko Hoxha është një me Aviacionin tonë, aq sa, kur thua Niko Hoxha, nënkupton Aviacionin dhe, kur thua Aviacioni, nënkupton Niko Hoxhën. Nuk ka pasur para tij një “Niko”, ashtu sikurse nuk pati edhe pas tij një tjetër “Niko”. Pilotët janë veçanti e bukur, të gjithë, nga më i miri e deri te më i zakonshmi, por edhe pse kështu, dikush është një pëllëmbë mbi të gjithë. Dhe ky dikushi e ka emrin Niko Hoxha.
Niko Hoxha lindI në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, më 1 Prill të vitit 1926. Kur lindi Nikoja, një plak i moçëm, mjekërrbardhë e flokëthinjur, tha: ‘Ky djal do të bëhet mbret!’ Dhe i doli fjala plakut, foshnja e vogël u rrit e u bë dragua, mbreti i qiellit dhe fluturimit. Nikoja lindi në ‘fole’ të ngrohtë, ai u rrit si bir beu, me gjithë të mirat. I jati, Selmani, ishte burrë me emër në zonë, burrë shtatëqindsh, kur i thonë një fjale. Nuk kishte vetēm pasuri materjale, biles më së shumti kishte pasuri shpirtërore, vlera e virtyte sipërore, destinuar vetëm për fisnikët. E të gjitha këto Selmani i trashëgoi te i biri, Nikoja, emri i dytë i Aviacionit Shqiptar.
Në fëmijëri Nikoja dallohet për zgjuarësi, guxim, shkathtësi, forcë dhe mentalitet fituesi. Po ashtu shquhej për edukatë dhe sjellje sojliu, komunikim të ngrohtë dhe dashamirësi ndaj shokëve. Dhe vjen një ditë kur Niko, një djalë me dhjeta dhe trup atleti, king dhe me fizik të fortë, të regjistrohej në Shkollën Normale të Elbasanit. Aty Nikoja shpalosi vlerat më sipërore të tij, duke u evidentuar qartazi mbi shokët. Pushtimi fashist i vendit u prit me urrejtje nga Nikoja, i cili vihet në krye të lëvizjes anti fashiste në shkollë. Për këtë periudhë, Gezdar Veipi, emër i njohur i Aviacionit tonë edhe ky, thotë : “- Niko Hoxha ishte një “ujk” i lëvizjes studentore në shkollën “Normale” të Elbasanit. Ai ishte një agjitator i mirë e vihej në krye të protestave të studentëve kundër pushtimit fashist”. Nuk vonoj shumë dhe veprimtaria e Nikos me shokë ra në sy të pushtuesve, gjë që i detyroj këra të fundit të dalin partizanë në Brigadën e 5-të Sulmuese. Gjatë luftës Niko shquhet për trimëri e guxim të çartur, përpos kryerjes së detyrës së përgjegjësit të rinisë së brigadës në maksimumin e mundshëm.
Pas çlirimit të vendit, “normalistët” e Elbasanit, Niko Hoxha, Edip Ohri, Fari Bubësi dhe Babaçe Faiku, mes të tjerëve u dërguan në Shkollën e Aviacionit të Pançevos, në ish Jugosllavi. Në shkollë, Niko Hoxha dhe kolegët e tij përvetësuan teorinë e fluturimit dhe teknikën e pilotimit në avionët me helikë të Luftës së Dytë Botërore. Në përfundim të shkollës, në aerodromin e Pançevos, Niko Hoxha u titullua oficer dhe u pajis me diplomën e pilotit. Pas prishjes së marrëdhënieve midis vendit tonë dhe ish Jugosllavisë, në vitin 1948, Niko Hoxha dhe shokët e tij u shpërngulën për t’u kualifikuar në aeroplanë të tjerë, në Bashkimin Sovjetik. Nikos i takoi të shkonte në Shkollën e Aviacionit të qytetit Engels, ku do fluturonte në avionët bombardues me helikë, PE-2. Më 12 mars të vitit 1948, Niko Hoxha, me gradën “Kapiten i dytë”, ndodhej në qytetin Engels, ku nisi programin e kualifikimit.
Pasi qëndroi rreth 1 vit në qytetin ‘Engels’, Niko kthehet në Shqipëri, ku emërohet komandant i Skuadriljes së avionëve me helikë në Aerodromin e Laprakës, Tiranë. Ishte puna gjigande e Nikos, forca që realizoi ngritjen dhe vënien në funksionim të kësaj Skuadrilje. Në vitin 1951, Niko Hoxha dhe Edip Ohri kthehen përsëri në ish BS, këtë radhë për të kryer Akademinë e Drejtimit të Aviacionit në Moskë. Edhe këtu si kudo, Niko Hoxha shkëlqen, përsëri qëndron një pëllëmbë mbi të tjerët, shqiptar e të huaj. Gjatë kohës që ndiqnin Akademinë në Moskë, Niko dhe Edipi shkuan në aerodromin e qytetit të Novosibirskut, ku bënë kalimin në aeroplanët gjuajtës, me helikë JAK-9P, me të cilët do të furnizohej shumë shpejti Aviacioni Shqiptar. Gjatë kësaj kohe, Nikoja kishte fluturuar në aeroplanët PE-2, UTB-2 dhe në TU-2. Për këtë periudhë, piloti dhe shkrimtari i mirënjohur, Niazi Nelaj, thotë :
“- Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Komandimit, në Moskë, në vitin 1952, Niko Hoxha u emërua komandant i skuadriljes të vetme në vendin tonë, të pajisur me aeroplanë gjuajtës, me helikë, të tipit JAK-9P. Në atë kohë, Niko Hoxha mbante gradën e kapitenit të parë; shpejt u gradua major. Komisar i skuadriljes u caktua kolegu i Nikos, piloti Edip Ohri. Zëvendëskomandant u emërua labi trim, me trup shtatshkurtër por i ngjeshur, Babaçe Faiku dhe shef shtabi, përmetari nga Bubësi, piloti i talentuar Fari Bubësi. Një zgjedhje e gjetur, Tre ish normalistë u ngarkuan për të drejtuar aviacionin e sapoformuar të Shqipërisë.”
Në vitin 1954 Aviacioni ynë do paisej me një tip avioni më të avancuar, reaktivin Mig – 15 BIS. Për këtë u dërguan nē Aerodromin e Groznit, po të ish BS, një grup pilotësh nga më të mirēt, të cilët do të aftësoheshin në këtë tip avioni. Sigurisht që mes tyre dhe në krye të grupit të përbërë nga Edip Ohri, Fari Bubësi, Peço Polena, Haki Jupasi, Vasil Trasha e Masar Aga do të qëndronte fisnikërisht, emblema Niko Hoxha. Grupi fluturoj për 9 muaj në Grozni, deri sa përvetësuan më së miri këtë tip të ri avioni. Me pergatitjen e pilotëve s’mbetej gjë tjetër veç ardhjes së skuadriljes së Mig-15 BIS në vendin tonë, e cila mbrriti në Shkurt të vitit 1955 dhe u montuan në Aerodromin e Laprakës nga teknikët sovjetik, për t’u transportuar nga pilotët sovjetik për në Aerodromin e ish qytetit “Stalin”. Pak më vonë erdhi nga ish BRSS skuadrilja e dytë, avionët e së cilës u montuan po në Laprakë dhe u transportuan për në ish Q.Stalin nga pilotët tanë që u diplomuan në Grozni. Me këto dy skuadrilje reaktive, më 15 Maj të 1955-ës, në ish Q.Stalin u krijua Regjimenti i parë i Aviacionit Ushtarak Shqiptar, me komandant të madhërishmin Niko Hoxha. E kush tjetër veç tij mund të ishte, e kush tjetër veç tij do të pagëzohej ‘Babai i Aviacionit shqiptar’ ?
Niko Hoxha ishte bir perëndie, kjo e fundit kujdesej që gjithçka e tij të shkëlqente, ndaj edhe i vuri në krahë si suport superemra pilotësh si Edip Ohri, Fari Bubsi, Babaçe Faiku e ndonjë tjetër.
Në vitin 1958 Aviacioni ynë do pajisej me avionë modernë, bashkëkohorë, Mig-19 PM dhe si në rastin e vitit 1954, në ish BS do të dërgoheshin për përvetësimin e këtij tipi pilotët tanë më të mirë. Përcaktimi i grupit të pilotëve që do dërgoheshin në ish BS ishte detyrë e vështirë, duhej të kishe sy shqiponje dhe zemër luani që të zgjidhje mes njerëzve që veç përkushtimit dhe dashurisë për qiellin dhe atdheun, me tepri nuk kishin tjetër gjë. Ja ç’thotë Niazi Nelaj për këtë rast :
“- Një grup pilotësh, nga regjimenti i aviacionit të qytetit “Stalin”, të cilët, deri atëherë fluturonin në avionët MIG-15BIS, u dërguan në stepat e Rusisë për të përvetësuar MiG-19PM, i cili ishte nga teknikat më të përparuara ajrore të kohës. U desh të vihej në provë edhe një herë iniciativa dhe guximi i Niko Hoxhës, për të përzgjedhur pilotët që do të bënin kalimin në këta avionë. Përzgjedhja ishte e vështirë për faktin se, në atë kohë, asnjëri nga pilotët tanë që do të shkonin për të fluturuar në avionët MIG-19 PM të destinacionit gjuajtës-kapës, i pajisur me lokatorë e i armatosur me raketa ajër-ajër, të drejtuara, nuk i plotësonin testet që kërkoheshin për këtë tip avioni. Koloneli, me përgjegjësi përzgjodhi pilotët më të përparuar të regjimentit, me qëllim që në shkollën ku do të shkonin, djemtë tanë të mos ndiheshin keq dhe prestigji i ushtrisë e i vendit tonë të mos ulej, në sytë e kolegëve të tyre, nga vende të tjerë të Lindjes. Në fakt, pilotët shqiptarë të grupit të kalimit në avionët superzanorë MIG-19PM, treguesve kualitativë që kishin kolegët e tyre u kundërvunë vlerat individuale dhe kolektive të njerëzve të guximshëm e kurajozë dhe dolën, në disa drejtime, më mirë nga kolegët e tyre.”
Ndërkohë që grupi i pilotëve më të mirë të Regjimentit të ish Q.Stalin shkolloheshin në ish BS, Niko Hoxha hapi shkollë për pilotë në Regjiment, duke bërë të mundur që pilotët e mbetur pas ikjes së më të mirëve në ish BS, të aftësohsshin dhe arrinin nivele edhe më të larta se kolegët e tyre të kthyer nga ish BS. Duhej guxim tigri, zemër luani, sy shqiponje, mendje e ndritur dhe shpirt i madh, përkrahje dhe përkujdesje e perëndisë që të realizoje një gjë të tillë. Dhe të gjtha këto bashkë ishin vetëm tek Ai, Nikoja, i dërguari i perëndisë si dhuratë për Aviacionin Shqiptar. Nuk e teproj me superlativat e përdorura, Niko Hoxha meriton gjithçka, kaq e më tepër sepse ai është ekuivalenti i aviacionit, sinonim i tij. Ishte Nikoja faktori determinant që Shkolla jonë e Aviacionit i mbijetoj “goditjeve”të viteve ’60-të të kohës së prishjeve të marrdhënieve me ish BS. Nuk kishte pengesë në Aviacion që nuk kapërxehej nga “Babai”, nuk kishte lartësi që nuk merrej nga Ai.
Viti 1962 e bëri me “vëlla” Regjimentin e ish Q.Sralin, Rinas do të quhej foshnja e re. I bindur se të madhin, Regjimentin e ish Q.Stalin, e kishte rritur mjaftueshëm për të ecur vet në rrugën e jetës, “Babai” shkoj me të voglin, ta rriste e ta bënte të fortë që të ecte edhe ai me këmbët e veta, si i madhi. Për këtë periudhë, Niaziu tregon :
“- Në pranverën e vitit 1962 u formua regjimenti i aviacionit gjuajtës-bombardues, në aerodromin e Rinasit. Aeroplanëve gjuajtës-kapës MIG-19 PM iu shtua një skuadrilje, me 12 avionë MIG-17 F. Niko Hoxha, tashmë i sprovuar për aftësitë e tij organizative dhe i pajisur me një eksperiencë me vlerë, u emërua Komandant i këtij regjimenti, në afërsi e në mbrojtje të kryeqytetit. Kolonel Niko Selman Hoxha, e organizoi dhe e drejtoi edhe këtë regjiment, siç dinte ai dhe, me dashurinë që kishte për fluturimin dhe me pasionin për të synuar drejt majave më të larta, e ngriti lart lavdinë e armës së tij të dashur, deri sa i vulosi përpjekjet, për të kapur më të mirën, me jetën e tij, në moshën 39 vjeçare, në të shtunën e datës 20 nëntor 1965, rreth orës 10:00.”
E pra, 20 Nëntor 1965! Ditë e shtunë, më e zezë se e premtja. Sterronte dita nga retë e shumta e shiu i mallkuar, apo ngaqë do merrte Atë, më të mirin, më fisnikun, më burrin, vet Niko Hoxhën ? Kam theksuar në dy a tre raste lidhjen mes Nikos dhe perëndisë, kam pohuar se Ai ishte bir i kësaj të fundit. Kam thënë e ç’nuk kam thënë, kanë thënë e ç’nuk kanë thënë shqiptarët për Niko Hoxhën, por përsëri është hiçasgjë me atë që meriton ky titan. Atë të shtunë të 20 Nëntorit ’65, perëndia bëri atë që kishte bërë edhe herë të tjera me gjenitë, siç bëri me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë atë të shtunë të vitit 323 para erës sonë. E pra, e mori Nikon lart, në qiell, për t’u krenuar me Të në Parajsë, por duke e bërë tē pavdekshëm në tokë, duke e lënë të gjallë e të lavdishëm në zemrat e çdo shqiptari. Për Niko Hoxhën lipsen romane, realizime filmash nga skenaristë e regjisorë të klasit të parë, siç edhe Ai ishte Pilot i Klasit të Parë, Njeri i Klasit të Parë.
.